
Mes pamjeve të dhunës dhe përplasjeve gjatë protestave në Tiranë, një tjetër shqetësim është ngritur për fatin e një maceje të vogël, e cila dyshohet se është dëmtuar gjatë incidenteve. Organizata për mbrojtjen e kafshëve ARS Albania ka publikuar pamjet e saj, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin dhe strehimin e kafshës.
“Na është raportuar që është macja që është dëmtuar dje në protestë! E njeh njeri? Mund ta konfirmojë dikush? Na ndihmoni ta strehojmë”, shkruan organizata në Instagram.
Në pamjet e publikuara shihet një kotele me ngjyrë gri dhe të bardhë, e cila qëndron e strukur në një ambient të jashtëm.
Organizata thekson se kafshët nuk kanë asnjë përgjegjësi për ngjarjet që zhvillohen rreth tyre.
“Ata nuk kanë faj. Nuk kuptojnë çfarë ndodh. Janë viktima të pafajshme”, thuhet në postim.
Megjithatë, identiteti i maces dhe lidhja e saj me incidentet e protestës nuk janë konfirmuar ende. Edhe në komentet e postimit, përdoruesit kanë ngritur dyshime nëse bëhet fjalë për të njëjtën kafshë.
ARS Albania u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion të kontaktojnë organizatën, me qëllim që kotelja të gjendet dhe të strehohet në një vend të sigurt.
Rasti rikthen vëmendjen edhe te kafshët endacake, të cilat mund të ekspozohen ndaj zhurmave të forta, tymit dhe rreziqeve të tjera gjatë protestave dhe përplasjeve në hapësirat publike.






