
Tensionet e protestës në Tiranë janë zhvendosur edhe përpara Kryeministrisë, ku një grup protestuesish kanë sulmuar me gurë godinën e institucionit, ndërsa forcat e policisë janë përgjigjur me gaz lotsjellës.
Incidenti është regjistruar pasditen e kësaj të mërkure, 14 tetor, ndërsa demonstrata, e nisur përpara Ministrisë së Arsimit, është shtrirë në disa zona të kryeqytetit.
Sipas raportimit të Dosja.al, protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të Kryeministrisë, duke shkaktuar një tjetër përplasje me forcat e rendit.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit dhe për të penguar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
Përplasjet përpara Kryeministrisë vijnë pas incidenteve të regjistruara gjatë ditës pranë Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Brendshme.
Gjatë protestës janë raportuar sulme me gurë dhe sende të forta ndaj institucioneve, dëmtime të pronës publike e private dhe zjarre të shkaktuara nga persona të përfshirë në demonstratë.
Protesta, e cila vijon për të dytën ditë radhazi, nisi me kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në universitete, por është shoqëruar me incidente të dhunshme në disa prej institucioneve kryesore të vendit.
Deri në momentin e raportimit nuk ka të dhëna zyrtare për persona të lënduar apo për dëmet materiale nga incidenti përpara Kryeministrisë.






