
Rritja e shpejtë e çmimeve të apartamenteve dhe zgjerimi i kreditimit për blerje banese po shtojnë shqetësimin në sektorin bankar në vend. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ekspozimi i bankave ndaj pasurive të paluajtshme është rritur ndjeshëm, duke u kthyer në një nga rreziqet kryesore për stabilitetin financiar shkruan Report.TV.
Aktualisht, rreth 440 miliardë lekë, ose afro 4.6 miliardë euro kredi, janë të mbuluara me kolateral në pasuri të paluajtshme, që përbën gati gjysmën e stokut total të kredive në sistem. Krahasuar me një vit më parë, ky ekspozim është rritur me rreth 50 miliardë lekë.
Sipas bankës qendrore, rritja e çmimeve të pronave është nxitur në një masë të madhe nga zgjerimi i kreditimit për blerje banese. Vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2025, çmimet e banesave u rritën me 28% në nivel kombëtar krahasuar me një vit më parë.
Për të frenuar këtë tendencë, që prej 1 korrikut 2025, Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime për kreditë hipotekore. Për blerjen e banesës së parë në lekë, bankat mund të financojnë deri në 85% të vlerës së pronës, ndërsa për banesën e dytë ky kufi zbret në 80%. Për kreditë në valutë, tavanet janë më të ulëta, përkatësisht 75% dhe 70%.
Po ashtu, janë vendosur kufizime edhe për përballueshmërinë e kredive: kësti mujor nuk duhet të kalojë 40% të të ardhurave për kreditë në lekë dhe 35% për ato në valutë.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë sinjalizon se këto masa mund të rishikohen gjatë vitit të ardhshëm, në varësi të zhvillimeve në treg. Nuk përjashtohet edhe vendosja e kufizimeve për kreditë e bizneseve në sektorin e pasurive të paluajtshme, për të cilat aktualisht nuk ka tavane të përcaktuara.
Ekspertët paralajmërojnë se një rënie e mundshme e çmimeve të pronave, e shoqëruar me dobësim të aftësisë paguese të qytetarëve, mund të sjellë pasoja për bankat për shkak të nivelit të lartë të ekspozimit në këtë sektor.



