Ngjarja tragjike që tronditi Durrësin, ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos një tjetër, ka sjellë tension të fortë në zonën ku ndodhi aksidenti, duke detyruar familjen e autorit të largohet nga lagjja nga frika e hakmarrjes.

Sipas raportimeve, 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili drejtonte automjetin në gjendje të dehur, humbi kontrollin dhe përplasi tre të mitur që po luanin në trotuar. Si pasojë, humbën jetën dy fëmijë të moshës 10 dhe 12 vjeç, ndërsa një 8-vjeçar mbeti i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja, por u ndalua më vonë nga policia dhe u vu në pranga. Testet konfirmuan praninë e alkoolit në gjak, ndërsa ndaj tij rëndojnë disa vepra penale, përfshirë drejtimin në gjendje të dehur dhe largimin nga vendi i aksidentit.

Banorët e lagjes nr. 15 në Durrës shprehen se kishin denoncuar më herët sjelljen e tij të rrezikshme në rrugë, duke e cilësuar si drejtues problematik. Sipas tyre, tragjedia mund të ishte shmangur nëse do të ishin marrë masa në kohë.

Ndërkohë, familja e autorit është larguar nga zona për shkak të tensioneve dhe frikës nga reagimet e mundshme të komunitetit.

Zona e ish-kënetës është mbuluar nga një atmosferë zie, ndërsa dhjetëra qytetarë vijojnë të shprehin ngushëllimet për familjet e dy fëmijëve që humbën jetën tragjikisht.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu