Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së grupit, kreu i GPS, Taulant Balla sqaroi se çështja e Spiropalit nuk ka qenë në agjendën e mbledhjes së fundit të komisionit, ku sipas tij fokusi ka qenë tek projektligjet dhe amendamentet e propozuara nga deputetët.

Ai theksoi se është normale që brenda grupit parlamentar të ketë kritika dhe propozime, duke i cilësuar ato si shprehje të demokracisë së brendshme të Partisë Socialiste. “Këto janë debate normale pune dhe zhvillohen brenda grupit”, u shpreh ai.

Sa i përket një vendimmarrjeje për Spiropalin, Balla nënvizoi se PS ka një rregull të qartë për analizën e performancës së deputetëve, e cila bëhet në fund të çdo sesioni parlamentar. Sipas tij, ky proces do të zhvillohet në korrik dhe përfshin të gjithë deputetët pa përjashtim.

I pyetur nëse kritikat e Spiropalit janë shprehur në mbledhjet e grupit, Balla u përgjigj se ato nuk janë ngritur në forumet zyrtare të partisë.

Ndërkohë, ai u ndal edhe te procesi i rienergjizimit të Partisë Socialiste, duke theksuar se ka një rritje të ndjeshme të anëtarësimeve të reja dhe një komunikim më të gjerë me qytetarët. Balla tha se ky proces lidhet edhe me përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ku PS synon të garojë për të fituar në të gjitha bashkitë.

Sa i përket reformës administrative-territoriale, ai u shpreh se fokusi nuk është tek numri i bashkive, por tek përmirësimi i shërbimeve për qytetarët. Në këtë kuadër, pritet zhvillimi i dëgjesave publike në të gjithë vendin.

Në fund, Balla foli edhe për amnistinë penale dhe Kodin e Procedurës Penale, duke theksuar se këto nisma kërkojnë kohë për shqyrtim dhe do të trajtohen në momentin e duhur në Kuvend.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu