
Një efektiv policie është plagosur me armë zjarri gjatë natës në zonën e Shkozës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, ndërsa polici, i identifikuar me inicialet A.K., rreth 30 vjeç, ka qenë jashtë shërbimit në momentin e sulmit.
Sipas njoftimit paraprak, 30-vjeçari është transportuar menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ngjarjes, policia ka ngritur pika kontrolli dhe ka nisur kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në vendngjarje ndodhen grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), të cilët po hetojnë rrethanat e plota të plagosjes.
Ndërkohë, raportime paraprake flasin se efektivi mund të ketë qenë shënjestër e një atentati të lidhur me prishje pazari droge, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet.






