
Një ngjarje e rëndë është regjistruar gjatë natës në zonën e hidrovorit të Akërnisë, në Vlorë, ku persona ende të paidentifikuar kanë tentuar t’u vënë flakën mjeteve të rënda që përdoren për punimet në zonën pyjore.
Sipas informacioneve paraprake, autorët kanë hedhur benzinë mbi më shumë se 20 mjete të rënda dhe më pas i kanë vënë zjarrin. Si pasojë, një fadromë është përfshirë totalisht nga flakët dhe është djegur plotësisht.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse të Vlorës, të cilat kanë bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve, duke parandaluar djegien e mjeteve të tjera.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se roja i objektit ndodhej në shërbim në momentin kur autorët kryen aktin, ndërsa fatmirësisht zjarri nuk u përhap në të gjitha automjetet, edhe pse benzina ishte hedhur mbi shumicën e tyre.
Të shtunën, rreth 100 banorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile protestuan në hyrje të zonës së Akërnisë, duke kundërshtuar ndërhyrjet që po kryhen brenda territorit të mbrojtur natyror sipas tyre nga kompania Kastrati. Protestuesit kërkuan pezullimin e menjëhershëm të projektit dhe gjatë tubimit hoqën edhe rrethimin e vendosur nga kompania që po kryen punimet.
Banorët deklaruan se çdo investim apo ndërhyrje në zonë duhet të realizohet vetëm pas konsultimit publik dhe në përputhje me legjislacionin mjedisor.
Zona e Akërnisë ka marrë vëmendje të shtuar muajt e fundit edhe për shkak të interesit për investime strategjike turistike. Në janar të këtij viti, Jared Kushner dhe Ivanka Trump vizituan zonën e hidrovorit në Akërni, të shoqëruar nga arkitektë dhe nën masa të rrepta sigurie, për të inspektuar potencialin zhvillimor të territorit.






