
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë për ndryshimin e praktikës së arrestit me burg pritet të sjellë një qasje të re në sistemin e drejtësisë shqiptare.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një intervistë për Report Tv, theksoi se ky vendim e afron Shqipërinë me standardet europiane, duke e kthyer paraburgimin në një masë përjashtimore dhe jo automatike.
Sipas tij, tashmë gjykatat dhe prokuroritë do të duhet të arsyetojnë në mënyrë të detajuar pse një person duhet të qëndrojë në burg, duke analizuar rrethanat konkrete dhe alternativat e tjera ligjore.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë është duke punuar me ekspertë ndërkombëtarë për të propozuar ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, pasi niveli i paraburgimeve në Shqipëri mbetet disa herë më i lartë se mesatarja europiane.
Lidhur me aksidentin tragjik në Durrës, Gogu paralajmëroi një paketë masash të reja ligjore dhe administrative, duke theksuar se parandalimi i ngjarjeve të tilla kërkon një qasje të gjithanshme dhe jo vetëm ashpërsim dënimesh.






