DURRËS – Gjykata e Durrësit ka lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” 57-vjeçarin Nikoll Radaçi, i cili në gjendje të dehur shkaktoi aksidentin tragjik me dy fëmijë të vdekur dhe një të plagosur.

Gjatë seancës, është zbardhur edhe dëshmia e tij, e dhënë para oficerëve të policisë, ku ai pretendon se aksidenti ndodhi pasi tentoi të shmangte një automjet tjetër.

Sipas deklarimit, rreth orës 14:00 ai kishte dalë nga banesa me automjetin e tij për të marrë një vegël pune, kur nga një rrugicë doli një mjet tjetër.

“Devijova për ta shmangur dhe përfundova mbi trotuar. Pasi hipa mbi trotuar, u përfshiva në aksident me disa fëmijë që ndodheshin aty”, mësohet të ketë deklaruar ai.

Ai shton se automjeti nuk arriti të ndalonte menjëherë dhe se pas ngjarjes ka dalë nga makina dhe është drejtuar në një dyqan aty pranë, ku u ka kërkuar punonjësve të njoftonin policinë.

“Qëndrova te dyqani derisa erdhi policia dhe më shoqëroi në komisariat”, thuhet në dëshminë e tij, e cila u lexua nga prokurorja gjatë seancës.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 maj në lagjen nr.15 të Durrësit, ku tre fëmijë po luanin në trotuar. Si pasojë e përplasjes, humbën jetën një 12-vjeçar dhe një 10-vjeçar, ndërsa një tjetër fëmijë mbeti i plagosur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu