
TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj Reporterëve pa Kufij pas deklaratës së tyre se matin lirinë e medias dhe jo komunikimin e qeverisë.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama theksoi se nuk ka pretenduar ndonjëherë që organizata mat komunikimin e qeverisë, por i ftoi ata të lexojnë raportet e institucioneve ndërkombëtare që, sipas tij, bëjnë vlerësime profesionale dhe objektive në këtë fushë.
Ai sugjeroi një krahasim mes raportit të Reporterëve pa Kufij dhe atij të SIGMA-OECD, duke nënvizuar se mund të dalin në pah kundërshti të rëndësishme në vlerësimin e marrëdhënies mes qeverisë, medias dhe publikut në Shqipëri.
Sipas Ramës, raportet e tjera ndërkombëtare e paraqesin ndryshe situatën, duke vlerësuar edhe rolin e Agjencisë për Media dhe Informim si një instrument në shërbim të transparencës dhe informimit publik.
Reagimi i kryeministrit vjen në një moment debati mbi lirinë e medias në vend, pas publikimit të renditjes së fundit të Reporterëve pa Kufij.



