
Rreth 7 mijë metra katrorë tokë e konfiskuar në rrethinat e Tiranës pritet të vihet në shërbim të mbrojtjes dhe kujdesit për kafshët e braktisura.
Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK, ka ndërmarrë një nismë për t’u krijuar organizatave që veprojnë në këtë fushë mundësi të reja për strehimin dhe trajtimin e kafshëve në nevojë.
Sipërfaqja e tokës synohet të përdoret për ngritjen e ambienteve ku qentë dhe macet e braktisura të mund të strehohen dhe të marrin kujdesin e nevojshëm.
Nisma parashikon që pasuritë e konfiskuara të marrin një funksion social, duke u vënë në dispozicion të organizatave që merren me mbrojtjen e kafshëve.
Problemi i kafshëve të braktisura mbetet një shqetësim i vazhdueshëm në Tiranë dhe në qytete të tjera, ndërsa mungesa e hapësirave të dedikuara për strehim dhe përkujdesje është një nga vështirësitë kryesore me të cilat përballen shoqatat dhe vullnetarët.
Nëse projekti konkretizohet, 7 mijë metrat katrorë të konfiskuar do të shndërrohen nga një pasuri e sekuestruar në një hapësirë në shërbim të mirëqenies së kafshëve.






