Qendrat e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin pritet të bëhen model për një politikë të re të Bashkimit Evropian për menaxhimin e emigracionit. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni do ta paraqesë propozimin në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së, që zhvillohet të martën, pas krizës së fundit me emigrantët në enklavën spanjolle të Ceutës.

Sipas mediave italiane, Roma propozon ngritjen e qendrave evropiane të riatdhesimit sipas modelit të zbatuar në Shqipëri. Ndryshe nga marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë, Meloni kërkon që këto struktura të financohen kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Qendrat në Gjadër dhe Shëngjin u ngritën në bazë të marrëveshjes mes Tiranës dhe Romës për strehimin e emigrantëve të paligjshëm të kapur në ujërat ndërkombëtare. Megjithatë, funksionimi i tyre është përballur me pengesa ligjore, pasi zbatimi i marrëveshjes është pezulluar disa herë nga gjykatat italiane.

Pavarësisht këtyre vështirësive, qeveria italiane e konsideron modelin shqiptar një bazë të vlefshme për ndërtimin e një sistemi të përbashkët evropian për menaxhimin e emigracionit. Sipas raportimeve, Meloni beson se iniciativa gëzon mbështetjen e shumë vendeve anëtare.

Si argument, ajo i referohet letrës së nënshkruar nga 22 liderë të Bashkimit Evropian, të iniciuar nga Italia, ku kërkohet forcimi i politikave të përbashkëta për emigracionin. “Pamjet nga Ceuta treguan sa urgjente është një përgjigje evropiane”, citohet të ketë deklaruar Meloni.

Propozimi vjen pas valës së emigrantëve që goditi Ceutën, ku sipas raportimeve rreth 60 mijë persona, kryesisht nga Maroku, kaluan drejt territorit spanjoll, duke rikthyer debatin mbi kontrollin e kufijve dhe riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu