
Një përplasje mes gazetarit dhe publicistit Arjan Konomi dhe familjes së kryeministrit Edi Rama në Vuno është kthyer në debat publik, pasi të dy palët kanë publikuar versione të ndryshme për atë që ndodhi.
Gjithçka nisi të enjten, kur Konomi publikoi një video ku pretendonte se banorët dhe turistët ishin gjobitur nga Policia për parkim, ndërsa më vonë automjetet e eskortës së kryeministrit ishin vendosur pikërisht në zonën ku, sipas tij, parkimi ndalohej.
Konomi tregoi se ishte kthyer në fshat pasi kishte dalë për të mbledhur fiq dhe, kur kishte parë automjetet e eskortës, kishte nisur t’i filmonte. Ai pretendoi se iu drejtua policëve duke i pyetur përse nuk gjobitej edhe eskorta e kryeministrit.
Sipas versionit të Konomit, Rama e thirri pranë tavolinës dhe i kërkoi të ulej. Konomi thotë se ngriti çështjen e parkimit dhe pretendon se deri në atë moment nuk kishte përdorur fjalë fyese.
Ai pretendoi më tej se në debat ndërhyri Linda Rama, të cilën e akuzoi për sjellje agresive. Konomi tregoi se, pasi i kishte ofruar fiq, ajo i ishte përgjigjur me një frazë fyese. Më pas, sipas tij, katër truproja i morën telefonin, ndërsa videot që kishte regjistruar iu fshinë.
Konomi pretendon gjithashtu se u shoqërua me një furgon policie dhe efektivë të “Shqiponjave” në Komisariatin e Himarës, ku sipas tij qëndroi për disa orë.
Ngjarja u bë publike edhe nga Adriatik Lapaj, i cili ngriti shqetësimin për trajtimin e Konomit dhe kërkoi që ligji për parkimin të zbatohej njësoj si për qytetarët, ashtu edhe për zyrtarët.
Këtë të premte, Rama reagoi duke publikuar një video tjetër nga momenti i debatit. Në pamjet e publikuara prej tij, Konomi shihet duke iu afruar tavolinës ku ndodheshin Rama, Linda Rama dhe djali i tyre dhe dëgjohet duke kërkuar llogari për parkimin e automjeteve të eskortës.
Rama e përdori videon për të hedhur poshtë versionin e Konomit, duke e akuzuar atë se kishte bullizuar bashkëshorten dhe djalin e tij dhe më pas ishte paraqitur publikisht si viktimë.
Kryeministri e cilësoi rrëfimin e Konomit “gënjeshtër” dhe tha se pamjet tregonin një version krejt tjetër të episodit.
Megjithatë, pretendimet e Konomit se më pas iu mor telefoni, iu fshinë videot dhe u shoqërua në Komisariatin e Himarës mbeten pjesë e versionit të tij për ngjarjen.






