
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas incidentit në Pustec, ku gjatë një aktiviteti kulturor me pjesëmarrjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut nuk u luajt Himni Kombëtar Shqiptar.
Rama e cilësoi ngjarjen si një “parodi domethënëse” të dallimeve në botëkuptim në rajon, ndërsa vlerësoi qëndrimin e kryetarit të Bashkisë Pustec, Pali Kolefski.
Sipas kryeministrit, Kolefski kishte kërkuar paraprakisht që gjatë aktivitetit të luhej edhe himni shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar. Më pas, kryebashkiaku kërkoi ndjesë publike për incidentin.
“U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior”, shkroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria i trajton minoritetet si pjesë të pasurisë kombëtare dhe jo thjesht si statistikë, duke kujtuar se komuniteti maqedonas në Pustec gëzon një status të posaçëm administrativ.
Në reagimin e tij, Rama përdori tone të forta edhe ndaj shfaqjeve nacionaliste në rajon, duke i cilësuar ato si “trupa të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik”.
Ai nënvizoi se episode të tilla nuk cenojnë sovranitetin e Shqipërisë dhe as ekuilibrat e brendshëm politikë, ndërsa iu drejtua edhe atyre që kërkojnë reagim me të njëjtën monedhë.
“Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit”, përfundoi Rama.






