
Protesta kundër qeverisë dhe klasës politike në vend vijoi edhe në ditën e 16-të në Tiranë, me qindra qytetarë që u mblodhën para Kryeministrisë dhe më pas marshuan në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Me sloganin tashmë të zakonshëm “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit përsëritën kërkesat për largimin e figurave kryesore të politikës shqiptare, ndërsa bënë thirrje për bashkim dhe pjesëmarrje më të madhe qytetare.
Pas polemikave të shkaktuara nga marshimi i një dite më parë, i cili përfundoi me bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës dhe rrugës së Rinasit, organizatorët njoftuan ndryshime në mënyrën e zhvillimit të protestës.
Sipas tyre, nga tani e tutje marshimet do të zhvillohen vetëm brenda Unazës së Tiranës, nuk do të ketë ndarje në grupe dhe nuk do të lejohen devijime spontane nga itinerari i përcaktuar. Gjithashtu, u theksua se gjatë marshimeve do të mbahet gjithmonë e lirë një korsi për automjetet e emergjencës.
“Marshimi është organizuar nga vetë të rinjtë, por nga sot do të kujdesemi që të shmangen incidentet e mbrëmshme. Nuk do të ketë më marshime jashtë Unazës”, deklaroi aktivisti Arben Kola.
Një tjetër nismëtar i protestës garantoi se ngjarjet e natës së kaluar nuk do të përsëriten, ndërsa u bëri thirrje pjesëmarrësve të mos bien pre e përçarjeve.
Tubimi zgjati më shumë se pesë orë dhe u shoqërua me fjalime, pankarta dhe marshim në rrugët e kryeqytetit, duke konfirmuar vazhdimin e një lëvizjeje që ka tejkaluar tashmë kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec dhe është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër establishmentit politik.






