
Një mace ka vjedhur vëmendjen në finalen e Europa League mes Aston Villa dhe Freiburg në stadiumin Tupras të Besiktasit në Stamboll.
Pak para nisjes së finales, tifozët mbetën të habitur kur panë macen duke shëtitur qetësisht pranë fushës dhe tribunave, ndërsa shumë prej tyre ndaluan për të bërë foto me “yllin” e papritur të mbrëmjes.

Sipas mediave sportive, macja nuk është një “mysafire” e rastësishme. Ajo jeton prej vitesh brenda stadiumit Tupras dhe është kthyer në një simbol të njohur për tifozët e Besiktas-it.

Raportohet se fillimisht ishte një mace rruge, por më pas fitoi simpatinë e stafit të stadiumit, të cilët e lejuan të qëndronte aty përgjithmonë.
Macja është parë edhe në ndeshje të mëdha të viteve të fundit, përfshirë një përballje të Champions League mes Besiktasit dhe Bayern Munich në vitin 2018.
Stambolli njihet për dashurinë e madhe ndaj maceve, me mijëra prej tyre që jetojnë të lira në qytet dhe trajtohen si pjesë e jetës së përditshme.





