
Mazhoranca dhe opozita kanë arritur konsensus për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, ndërsa drafti final pritet të miratohet nesër në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren.
Burime parlamentare bëjnë me dije se relatorët e PS dhe PD kanë dakordësuar paketën e re të ndryshimeve, ku bie në sy tërheqja e të dyja palëve nga disa qëndrime të forta të mëparshme.
Një nga risitë kryesore është pranimi i kërkesës së PD-së që seancat plenare të ndërpriten në orën 22:00 dhe të vijojnë ditën pasardhëse, duke shmangur maratonat e natës në Kuvend.
Po ashtu, opozita ka arritur të forcojë mekanizmat e kontrollit parlamentar. Sipas draftit, kryetari i Kuvendit do të detyrohet të ndërhyjë kur institucionet nuk u përgjigjen deputetëve për informacion, deri edhe me kërkesë për masa disiplinore ndaj titullarëve.
Një tjetër pikë e pranuar është detyrimi për kryetarët e komisioneve parlamentare që, me kërkesë të pakicës, të thërrasin mbledhje ose seanca dëgjimore brenda dy ditëve.
Nga ana tjetër, PS është tërhequr nga disa propozime të debatueshme, si procedura e përshpejtuar njëjavore për projektligjet e lidhura me BE-në, përgjysmimi i kohës së diskutimeve në Kuvend dhe kufizimi i raportimeve të institucioneve kushtetuese vetëm në komisione.
Por elementi më interesant politik mbetet fakti që PD ka pranuar ruajtjen e 11 komisioneve të përhershme parlamentare, edhe pse më herët e kishte çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
Drafti i ri parashikon funksionimin e 11 komisioneve, mes tyre Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme, Komisioni për Nismat Qytetare, si dhe Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën.
Konsensusi i arritur mes PS dhe PD shihet si një tjetër sinjal bashkëpunimi mes palëve, në një periudhë ku integrimi europian dhe reforma parlamentare janë kthyer në prioritet politik.






