
Legjenda e Arsenalit, Emmanuel Petit, ka reaguar ashpër ndaj vlerësimit prej 130 milionë paundësh që Aston Villa i ka vendosur Morgan Rogers, duke e cilësuar shumën si “të çmendur”.
Ish-mesfushori francez u shpreh i habitur nga shifrat që po qarkullojnë në merkaton e futbollit, ndërsa Arsenali raportohet se e ka kthyer 23-vjeçarin në objektivin kryesor të verës.
“Është një shumë e çmendur parash. Që kur transferimet kaluan kufirin e 100 milionë paundëve, çdo ditë shoh çmime që më lënë pa fjalë. Nëse shpenzon kaq shumë për një lojtar, presioni mbi të është i jashtëzakonshëm”, deklaroi Petit.
Pavarësisht kostos së lartë, trajneri Mikel Arteta besohet se e konsideron Rogers pjesën kyçe të projektit të tij. Sulmuesi anglez, i cili aktualisht është i angazhuar me Anglinë në Botërorin 2026, ka kontratë me Aston Villa deri në vitin 2031 dhe klubi nuk ka ndërmend ta shesë lehtë.
Petit sugjeroi se, nëse marrëveshja për Rogers dështon, Arsenali duhet të përqendrohet te Nico Williams i Athletic Bilbaos, të cilin e konsideron një alternativë ideale.
Ndërkohë, Aston Villa ka vendosur një çmim kaq të lartë edhe për arsye financiare, pasi duhet t’i paguajë Middlesbrough 20% të shumës së shitjes, sipas klauzolës së rishitjes. Për të financuar një operacion të tillë, Arsenali mund të detyrohet të shesë disa lojtarë, ndërsa Gabriel Martinelli përmendet si një nga emrat që mund të largohet.






