Debatet në Kuvend për çështjen e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, kanë kaluar në një përplasje të fortë verbale mes deputetes socialiste Kiduina Zaka dhe deputetit demokrat Flamur Noka.

Zaka reagoi pas deklaratave të Sali Berishës ndaj ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, duke i kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, të ndërhyjë për gjuhën që, sipas saj, deputetët e opozitës po përdorin ndaj grave në Parlament.

“Qershia mbi tortë, kur Berisha i thotë ‘a keni kaluar nga zyra e Ergysit’. Kush jeni ju që prekni në moral? Zoti kryetar, merrni masa. Janë femrat ato që preken në moral, nuk mund të vazhdohet”, tha Zaka.

Në këtë moment ndërhyri pa mikrofon Flamur Noka, çka solli edhe përplasjen direkte mes tyre.

“Ju, Flamur, jeni shumë trim kur flisni pa mikrofon. Dil aty e fol. Po qe burrë, dil e fol aty. Nuk të ecin me mua këto. Bëj kujdes me mënyrën se si i drejtoheni një kolege”, iu përgjigj deputetja socialiste.

Noka më pas doli në foltoren e Kuvendit dhe e riktheu debatin te çështja e SHISH, duke pretenduar se siguria kombëtare kishte rënë dhe duke akuzuar mazhorancën për mënyrën se si po reagonte ndaj zhvillimeve të fundit.

Përplasja ishte pjesë e një seance të tensionuar, e cila u ndërpre disa herë pas debateve mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

:

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu