
Kaos dhe përplasje fizike në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren, kanë përmbysur karriget dhe kanë hedhur sende drejt përfaqësuesve të mazhorancës. Flamur Noka i ka shkulur mikrofonin Taulant Ballës dhe ka hedhur rregulloren drejt kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa deputeti demokrat Fidel Kreka ka goditur me bllokun e votimit ish-ministrin Ervin Hoxha.
Seanca plenare e së enjtes, 22 tetor, nisi me tensione, pasi deputetët demokratë refuzuan rendin e ditës dhe kërkuan që Parlamenti të diskutonte për protestat që zhvillohen prej dhjetë ditësh në Tiranë.
Sipas opozitës, Kuvendi duhet të përqendrohej te kërkesat e protestuesve dhe veprimet e policisë gjatë tubimeve.
Por situata u përshkallëzua sapo kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, mori fjalën.
Noka i shkul mikrofonin Ballës, më pas hedh rregulloren drejt Peleshit
Flamur Noka iu afrua Ballës, i hoqi me forcë mikrofonin dhe hodhi letra në drejtim të tij.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu përkohësisht seancën, por tensionet vijuan edhe pas rifillimit të punimeve.
Deputetët e opozitës përmbysën karriget, goditën tavolinat dhe hodhën ujë, ndërsa dëgjoheshin thirrjet “Parlament i krimit” dhe “Ju erdhi fundi!”.
Noka tentoi gjithashtu t’u merrte kartonët e votimit deputetëve socialistë, në kohën kur mazhoranca po votonte pa diskutime.
Në një tjetër moment, ndërsa Niko Peleshi po fliste, deputeti demokrat hodhi një kopje të rregullores së Kuvendit në drejtim të tij.
View this post on Instagram
Fidel Kreka godet Ervin Hoxhën, Garda ndërhyn për Bledi Çuçin
Një tjetër incident i rëndë u regjistrua kur deputeti i PD-së, Fidel Kreka, u përplas fizikisht me ish-ministrin Ervin Hoxha.
Sipas pamjeve dhe raportimit të Shqiptarja.com, Kreka e shtyu Hoxhën dhe e goditi në kokë me bllokun e votimit.
Deputeti demokrat tentoi të godiste edhe Bledi Çuçin, por ndërhyrja e Gardës pengoi përshkallëzimin e incidentit.
Berisha jep udhëzime nga vendi i tij
Gjatë tensioneve, kamerat kanë fiksuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa komunikonte me deputetët e opozitës.
Në një moment ai shihet duke iu drejtuar Flamur Nokës dhe Gent Strazimirit. Shqiptarja.com i interpreton këto komunikime si udhëzime për veprimet e deputetëve në sallë.
Ndërkohë, mazhoranca socialiste anuloi diskutimet dhe kaloi në votimin e projektligjeve, ndërsa opozita vijonte të mbante të bllokuar foltoren.
Përplasjet ndodhën në një ditë kur jashtë Parlamentit ishin marrë masa të shtuara sigurie për shkak të protestës së paralajmëruar.






