
Kosova po i afrohet skadimit të afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, ndërsa partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshjen që do t’i jepte fund ngërçit institucional.
Afati përfundon në mesnatën e 7 gushtit, por vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për të shtunën, më 8 gusht, në orën 11:00. Kjo do të thotë se deputetët do të mblidhen pasi afati i përcaktuar nga Kushtetuesja të ketë skaduar.
Seanca e së enjtes mbeti e papërfunduar pasi kryesuesi Avni Dehari e shtyu atë, pas kërkesës së kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për më shumë kohë për negociata politike. Kurti kërkon që para përfundimit të konstituimit të institucioneve të arrihet një marrëveshje edhe për çështjen e presidentit.
Një tjetër takim mes Kurtit dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk prodhoi marrëveshje.
Por çfarë ndodh nëse mesnata kalon pa u konstituuar Kuvendi? Pikërisht këtu interpretimet juridike ndahen.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se afati është absolut dhe se mosrespektimi i tij përbën shkelje të rëndë kushtetuese. Sipas tij, pas mesnatës nuk do të kishte më bazë kushtetuese që Avni Dehari të thërriste vazhdimin e seancës. Cakolli parashikon se çështja mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa politikisht i konsideron zgjedhjet e reja pothuajse të pashmangshme.
Një interpretim tjetër jep Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ai pajtohet se tejkalimi i afatit përbën shkelje kushtetuese, por argumenton se, përderisa nuk është përcaktuar një pasojë konkrete juridike, seanca mund dhe duhet të vazhdojë edhe pas 7 gushtit.
Kriza mund të bëhet edhe më e ndërlikuar për shkak të çështjes së presidentit. Albulena Haxhiu ushtron detyrën e presidentes që prej përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit, ndërsa sipas interpretimit të paraqitur nga Jakaj, ushtrimi i përkohshëm i këtij funksioni nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.
Nëse deri atëherë nuk do të ketë Kuvend funksional, Qeveri të re dhe president të zgjedhur, Kosova mund të përballet me një situatë institucionale të paprovuar më parë.
Edhe organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar që Kuvendi të konstituohet brenda afatit, duke paralajmëruar se tejkalimi i tij do të përbënte shkelje të Kushtetutës.
Tashmë vëmendja është përqendruar te mesnata: Kosova po hyn në një territor juridik ku edhe ekspertët ndahen për atë që mund të ndodhë më pas.






