
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Beograd, duke nisur vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi që prej ardhjes në pushtet në vitin 2019 dhe, veçanërisht, që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.
Zelensky mbërriti mbrëmjen e së premtes në aeroportin “Nikola Tesla”, ku u prit nga ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Handanoviq. Për presidentin ukrainas u organizua pritje zyrtare me tapet të kuq dhe gardën e Ushtrisë së Serbisë.
Takimi kryesor i vizitës pritet të zhvillohet të shtunën, kur Zelensky do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Gjatë qëndrimit dyditor në Beograd, presidenti ukrainas do të zhvillojë bisedime edhe me kryeministrin Gjuro Macut, me fokus te bashkëpunimi ekonomik dhe çështjet e sigurisë.
Vizita merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të marrëdhënieve tradicionale të Serbisë me Rusinë. Beogradi nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Moskës, megjithëse Serbia ka mbështetur në forumet ndërkombëtare rezoluta që afirmojnë integritetin territorial të Ukrainës.
Një nga çështjet kryesore që pritet të diskutohet është bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes. Sipas gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, në tryezë është mundësia e prodhimit të përbashkët të dronëve.
Projekti mund të zhvillohet në një format trepalësh: Serbia do të ofronte kapacitetet e prodhimit, Ukraina përvojën e fituar në zhvillimin dhe përdorimin e dronëve, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe mund të përfshiheshin si partner financiar.
Sipas raportimit, Kievi ka treguar prej kohësh interes edhe për prodhimin e armëve dhe municioneve në Serbi. Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, raportohet se ka luajtur një rol në afrimin e dy vendeve për një bashkëpunim të tillë.
Vizita e Zelenskyt dhe takimi me Vuçiqin shënojnë kështu një moment të rëndësishëm në raportet mes Kievit dhe Beogradit, në një kohë kur Serbia përpiqet të ruajë marrëdhëniet tradicionale me Moskën, por njëkohësisht të avancojë lidhjet me Ukrainën dhe Perëndimin.






