
Një ngjarje e rëndë ka tronditur një shkollë në Romë, ku një 13-vjeçar ka sulmuar me thikë mësuesen e tij të italishtes dhe historisë.
Pamjet e publikuara tregojnë se adoleshenti kishte regjistruar me një kamerë të vendosur në kokë edhe momentet përpara agresionit. Në video ai shihet në tualetin e shkollës duke u përgatitur për sulmin dhe duke pasur me vete dy thika.
Më pas 13-vjeçari ka hyrë në klasën e shkollës së mesme “Verga”, në zonën Centocelle të Romës. Fillimisht ai dyshohet se ka përdorur spray irritues ndaj mësueses dhe më pas e ka goditur tri herë me thikë.
Sulmi është ndërprerë falë ndërhyrjes së një nxënësi tjetër, me origjinë kongoleze, i cili ka arritur të bllokojë 13-vjeçarin.
Hetuesit italianë po shqyrtojnë jo vetëm dinamikën e agresionit, por edhe kontaktet dhe aktivitetin online të të miturit. Sipas raportimeve, po hetohet nëse ai kishte pasur lidhje në internet me grupe supremaciste dhe nëse ishte ndikuar prej tyre.
Videoja e përgatitjeve dhe e sulmit është bërë një nga elementet kryesore të hetimit për të kuptuar nëse agresioni ishte planifikuar paraprakisht dhe çfarë e shtyu 13-vjeçarin drejt aktit të dhunshëm.






