
Më shumë se një shekull pas zbulimit të varrit të Tutankhamun, arkeologët mund të jenë përpara një tjetër zbulimi të jashtëzakonshëm në Luginën e Mbretërve në Egjipt.
Hetimet e reja gjeofizike kanë zbuluar të dhëna që sugjerojnë ekzistencën e një korridori rreth dy metra të gjerë dhe të disa hapësirave të fshehura përtej mureve të varrit të faraonit të ri, i njohur si KV62.
Studiuesit kanë përdorur radar që depërton në tokë, matje të mikrogravitetit dhe të dhëna të rezistencës elektrike. Kombinimi i rezultateve tregon anomali që mund t’i përkasin një kompleksi korridorësh dhe dhomash të ndërtuara përpara varrosjes së Tutankhamun.
Dhe pikërisht këtu rikthehet një nga misteret më të mëdha të Egjiptit të lashtë: Nefertiti.
Prej vitesh ekziston teoria se varri i Tutankhamun mund të ketë qenë fillimisht pjesë e një kompleksi shumë më të madh mbretëror dhe se pas disa prej mureve mund të ndodhet një pjesë e pazbuluar e tij, ndoshta e lidhur me varrin e mbretëreshës Nefertiti.
Të dhënat e reja nuk provojnë ende se dhomat ekzistojnë dhe aq më pak se brenda tyre ndodhet Nefertiti. Por studiuesit kanë identifikuar struktura me kënde të drejta dhe zona me dendësi të ndryshme që mund të jenë krijuar nga njeriu.
Nëse hipoteza konfirmohet, zbulimi mund të hapë një kapitull krejtësisht të ri në historinë e varrit të Tutankhamun dhe në kërkimin, ende të pazgjidhur, për vendvarrimin e Nefertitit.






