
Italia dhe Spanja kanë rikthyer përkohësisht kontrollet kufitare mes dy vendeve, duke pezulluar pjesërisht zbatimin e lëvizjes së lirë në zonën Schengen. Vendimet lidhen me shqetësimet për emigracionin e parregullt dhe situatën në Ceuta, ku autoritetet druhen për një valë të re hyrjesh nga Maroku.
Spanja njoftoi se nga mesnata e 8 gushtit do të kryejë kontrolle për udhëtarët që mbërrijnë nga Italia. Verifikimet do të bëhen me përzgjedhje dhe do të përfshijnë identitetin dhe shtetësinë, ndërsa për qytetarët e vendeve jashtë Bashkimit Europian do të kontrollohen edhe vizat ose lejet e qëndrimit.
Sipas masave të njoftuara nga Madridi, kontrollet do të qëndrojnë në fuqi deri në mesnatën e 7 shtatorit, përveçse nëse ndryshimi i rrethanave sjell rishikimin e afatit.
Vendimi spanjoll pasoi përplasjen me Romën. Italia kishte vendosur që nga 1 gushti rikthimin e kontrolleve për personat që mbërrijnë nga Spanja, ndërsa qeveria italiane konfirmoi se masat do të vazhdojnë të paktën deri më 15 gusht dhe mund të mbeten në fuqi deri më 31 gusht.
Shkak është alarmi i autoriteteve spanjolle për mundësinë e një fluksi të ri migrantësh në Ceuta rreth 15 gushtit. Shërbimet e inteligjencës dhe policitë europiane po monitorojnë prej ditësh rrjetet sociale, ku janë identifikuar mesazhe që flasin për dobësi të mundshme në kontrollet kufitare.
Meqenëse Italia dhe Spanja nuk kanë kufi tokësor të përbashkët, kontrollet zhvillohen kryesisht në aeroporte dhe porte. Në Itali ato janë të fokusuara veçanërisht te shtetasit e vendeve jashtë BE-së që mbërrijnë nga Spanja, për të verifikuar rregullsinë e hyrjes së tyre.
Për qytetarët italianë, spanjollë dhe të tjerë të BE-së nuk vendosen procedura të reja për viza apo leje udhëtimi, por udhëtarët duhet të kenë me vete dokument të vlefshëm identifikimi, pasi mund t’u kërkohet gjatë kontrollit.
Rikthimi i përkohshëm i kontrolleve nuk është i pazakontë në zonën Schengen. Shtetet mund ta përdorin këtë masë në raste kërcënimesh ndaj sigurisë, problemeve të rendit publik, presionit migrator apo gjatë ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare.






