Marta Kos e vlerëson të arritshëm objektivin e Shqipërisë për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027, duke theksuar se përmbushja e tij kërkon vazhdimin e reformave dhe përparim në fushat kyçe.

“Ritmi me të cilin Shqipëria po zbaton reformat për BE-në dëshmon angazhimin e saj për anëtarësim në Bashkimin Europian”, deklaroi Kos.

Ajo evidentoi përmbushjen këtë vit të kritereve të ndërmjetme për çështjet themelore, të cilën e cilësoi një etapë të rëndësishme të procesit. Sipas saj, Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj dhe po punon për të përmbushur kriteret e mbylljes për kapituj të tjerë.

Kos theksoi se shteti i së drejtës, pavarësia e gjyqësorit, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore duhet të qëndrojnë në qendër të çdo përpjekjeje për reforma. Ajo kërkoi gjithashtu që përparimi në çështjet mjedisore të trajtohet si përparësi.

“Kjo ka rëndësi jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, u shpreh ajo.

Në këtë proces, Kos nënvizoi domosdoshmërinë e përfshirjes kuptimplotë të të gjithë shoqërisë, si kusht thelbësor për të garantuar një proces të shëndoshë legjislativ.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu