Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar pas publikimit të një dokumenti që u interpretua si i lidhur me heroin Tahir Sinani, duke sqaruar se bëhet fjalë për një person tjetër me emrin Tahir Sinanaj.

Në një lidhje direkte për A2 CNN, Gucati konfirmoi se firma në dokument është autentike, por theksoi se identiteti është ngatërruar dhe kjo, sipas tij, është shfrytëzuar për qëllime politike.

“Për opinionin shqiptar, nuk është Tahir Sinani. Është keqpërdorur emri për arsye politike. Ky është Tahir Sinanaj. Tahir Sinani është nga Tropoja, ndërsa Tahir Sinanaj është nga Kukësi”, deklaroi Gucati.

Ai bëri të ditur se ka komunikuar edhe me vëllain e heroit, Skënder Sinani, duke sqaruar situatën.

Sipas Gucatit, dokumenti nuk duhej të ishte bërë publik pa u verifikuar më parë identiteti i personit të përmendur.

“Këtu është bërë gabimi i madh. Njerëzit nuk janë sqaruar mirë dhe për këtë arsye letra nuk është dashur të dilte fare derisa të sqarohej se për kë bëhej fjalë”, u shpreh ai.

Gucati shtoi se Tahir Sinanaj figuron në dokumentacion për vitin 1999, ndërsa heroi Tahir Sinani kishte hyrë në luftë që në vitin 1998 dhe, sipas tij, nuk ka marrë pagesa në lekë.

Reagimi i kreut të OVL-UÇK vjen pas debatit të krijuar në ditët e fundit rreth dokumentit, i cili u interpretua në opinionin publik si i lidhur me heroin e UÇK-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu