
Protesta qytetare para Kryeministrisë vijoi edhe në ditën e 26-të, ku pjesëmarrësit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e klasës aktuale politike.
Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, organizatorët lexuan sërish pesë kërkesat e protestës, ndërsa në podium u ngjitën edhe disa emigrantë shqiptarë, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për lëvizjen qytetare.
Pesë kërkesat e protestuesve janë:
- Dorëheqja e menjëhershme e kryeministrit dhe e qeverisë.
- Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
- Ndryshime kushtetuese, përfshirë reformën zgjedhore, ndryshimin e ligjit për financimin e partive dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë jetës politike.
- Shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, ligjin për Trashëgiminë Kulturore, “Paketën e Maleve” dhe statusin e Investimeve Strategjike.
- Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, pas konsultimeve me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë apartiakë.
Nga podiumi u përcollën gjithashtu mesazhe për shqiptarët në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, ndërsa pjesëmarrësit kërkuan vazhdimin e rezistencës në mënyrë paqësore.
Gjatë protestës, në fasadën e godinës së Kryeministrisë u projektuan mesazhe si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Larg duart nga zonat e mbrojtura”.
Tubimi u mbyll me një marshim në rrugët kryesore të Tiranës, ku protestuesit vijuan thirrjet kundër qeverisë dhe për ndryshim politik.






