
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca nuk e njeh Partinë Demokratike si përfaqësuese të protestuesve dhe për këtë arsye refuzoi kërkesat e opozitës të paraqitura në Konferencën e Kryetarëve.
Në një komunikim me gazetarët, Balla tha se pyetja kryesore që i është drejtuar opozitës ishte nëse ajo kishte marrë mandat nga protestuesit për të folur në emrin e tyre.
“Nuk e njoh fare Partinë e Sali Berishës si përfaqësuese të protestës. Sapo të mbërrijë në Kuvend një kërkesë me shkrim nga protestuesit, do t’u kthej përgjigje edhe atyre,” deklaroi Balla.
Sipas tij, kërkesat e paraqitura nga Partia Demokratike nuk përputhen me ato të protestuesve, pasi përveç kërkesës për dorëheqjen e qeverisë, pjesa tjetër, sipas Ballës, përmbante “halle të opozitës” dhe jo ato të qytetarëve.
Balla argumentoi se nëse opozita kërkon rrëzimin e qeverisë, duhet të përdorë instrumentin kushtetues të mocionit të mosbesimit dhe jo mocionin me debat.
“Mblidhni 28 firma dhe sillni mocion mosbesimi. Kushtetuta e përcakton qartë procedurën,” u shpreh ai.
Lidhur me kërkesën për debat mbi rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Balla tha se ajo nuk u pranua për arsye procedurale, pasi sipas tij, rregullorja e Kuvendit nuk lejon zhvillimin e dy mocioneve me debat për të njëjtën çështje brenda të njëjtit sesion parlamentar. Ai shtoi se është i gatshëm që gjetjet e rezolutës të diskutohen në një debat të ardhshëm për integrimin europian.
Gjatë konferencës, Balla u ndal edhe te protestat, duke deklaruar se debati për kërkesat e qytetarëve do të zhvillohet vetëm kur ato të paraqiten drejtpërdrejt nga organizatorët e protestës dhe jo përmes Partisë Demokratike.






