
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe autoritetet europiane kanë raportuar se deri tani janë identifikuar 11 raste të dyshuara me hantavirus, prej të cilave 8 janë konfirmuar, ndërsa janë regjistruar 3 viktima.
Megjithatë, autoritetet shëndetësore kanë tentuar të qetësojnë opinionin publik, duke theksuar se nuk ka prova për mutacion të virusit dhe se rreziku për popullsinë europiane mbetet shumë i ulët.
Testet e para të kryera në Itali për rastet e dyshuara kanë rezultuar negative. Mes tyre janë një shtetas britanik, shoqëruesi i tij, një marinar nga Kalabria dhe një turiste e shtruar në Mesinë.
Qendra Europiane për Parandalimin e Sëmundjeve deklaroi se rastet aktive janë reduktuar në 8 dhe se nuk është konstatuar asnjë ndryshim i variantit viral të shpërthimit të lidhur me anijen turistike “Hondius”.
Ndërkohë, në Francë, të 26 personat që kishin pasur kontakt me një rast pozitiv kanë rezultuar negativë, megjithëse do të vijojnë të monitorohen dhe testohen tre herë në javë gjatë periudhës së izolimit dyjavor.
Autoritetet italiane kanë ngritur struktura monitorimi në disa rajone. Calabria ka krijuar një “kabinë regjie” për menaxhimin e rasteve të mundshme, ndërsa spitali “Spallanzani” në Romë deklaroi se disponon rezerva të mjaftueshme tamponësh dhe laboratorët rajonalë po përgatiten për analiza të mëtejshme.
Nga ana tjetër, OBSH falënderoi publikisht banorët e Tenerife-s për pranimin e ankorimit të anijes “Hondius”, duke e cilësuar si një akt “kurajoje morale”.
Anija turistike kishte transportuar më shumë se 120 persona nga Amerika e Jugut drejt Evropës, ndërsa shpërthimi i virusit Andes – i vetmi variant hantavirusi që mund të transmetohet nga njeriu te njeriu – ngriti alarmin ndërkombëtar.
Megjithatë, ministri italian i Shëndetësisë Orazio Schillaci deklaroi se “nuk ka arsye për alarm”, ndërsa autoritetet europiane theksuan se aktualisht nuk ekziston një situatë emergjente.
Ekspertët paralajmërojnë gjithsesi se përhapja e informacionit të pakonfirmuar në rrjetet sociale po krijon një “infodemi”, me rritje të ndjeshme të përmbajtjeve alarmiste online pas krahasimeve me pandeminë COVID-19.






