
Tencent ka lançuar në Kinë platformën “PetTV”, kanalin e parë streaming të dedikuar tërësisht për kafshët shtëpiake.
Shërbimi funksionon 24 orë në ditë dhe transmeton përmbajtje të krijuara posaçërisht për të argëtuar qentë dhe macet kur pronarët janë jashtë shtëpisë.
Mes videove që transmetohen përfshihen rosa që notojnë, qen që luajnë apo patrullojnë lagjen, si dhe pamje të tjera të dizajnuara për të tërhequr vëmendjen e kafshëve.
Tencent e përshkroi PetTV si një “qendër lumturie” për miqtë me katër putra.
Sipas kompanisë, platforma përdor ngjyra, tinguj dhe frekuenca të përshtatura posaçërisht me perceptimin vizual dhe dëgjimor të qenve dhe maceve.
Qëllimi është që kafshët të ndihen më pak vetëm gjatë kohës kur pronarët mungojnë në shtëpi.
PetTV është i disponueshëm për abonentët me pagesë të Tencent Video.
Sipas të dhënave të tregut të publikuara nga kompania, rreth 66% e pronarëve të qenve në Kinë lënë televizorin ndezur për kafshët e tyre kur largohen nga shtëpia.
Ndërkohë, tregu kinez i kafshëve shtëpiake vijon të rritet me ritme të shpejta. Sipas raportit të PetData.cn, industria urbane e kafshëve në Kinë pritet të arrijë vlerën e 405 miliardë juanëve deri në vitin 2028.
Mesatarisht, familjet kineze shpenzojnë mbi 3 mijë juanë në vit për çdo qen dhe mbi 2 mijë juanë për çdo mace.






