Pesë turistë italianë kanë humbur jetën gjatë një zhytjeje nënujore në atollet Vaavu në Maldive, në një nga ngjarjet më të rënda të regjistruara së fundmi në arkipelag.

Sipas mediave italiane dhe autoriteteve lokale, grupi ishte nisur për eksplorimin e disa shpellave nënujore në rreth 50 metra thellësi pranë zonës Alimathaa, kur ndodhi tragjedia.

Autoritetet maldiviane thanë se alarmi për zhdukjen e tyre u dha rreth orës 13:45 me orën lokale, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit çuan në gjetjen e pesë trupave pa jetë.

Mes viktimave ndodhet edhe Monica Montefalcone, pedagoge e asociuar në Universitetin e Genovas dhe një emër i njohur në fushën e ekologjisë detare.

Montefalcone ishte e angazhuar në disa projekte kërkimore mbi mbrojtjen e mjedisit detar dhe njihej për pjesëmarrjet e saj edhe në media televizive italiane.

Sipas raportimeve paraprake, kushtet atmosferike në zonë konsideroheshin të pafavorshme gjatë kohës së zhytjes, ndërsa shkaqet e sakta të vdekjes mbeten ende nën hetim.

Policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu