Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar për çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke deklaruar se përgjegjësia penale është individuale, ndërsa qeveria, sipas tij, e ka marrë përgjegjësinë politike duke e larguar atë nga detyra.

Në një prononcim para nisjes së seancës në Kuvend, Gogu theksoi se askush nuk duhet të ketë mbrojtje politike, por njëkohësisht duhet të respektohen të gjitha garancitë e procesit të rregullt ligjor.

“Shteti i së drejtës duhet të funksionojë. Askush nuk mund të fshihet nën mbrojtje politike, por nga ana tjetër duhet të sigurojmë që çdo person të ketë një proces të rregullt ligjor dhe të gjitha mjetet për t’u mbrojtur”, deklaroi ministri.

Gogu tha se pas largimit të Hysenit është garantuar vazhdimësia e drejtimit të Shërbimit Informativ të Shtetit, deri në zgjedhjen e drejtuesit përfundimtar.

“Përgjegjësia politike tashmë është marrë. Në krye të Shërbimit Informativ ka një drejtues të ri, derisa të ketë një drejtues përfundimtar. Përgjegjësia penale është individuale”, tha Gogu.

Ministri shtoi se për atë që mund të ketë ndodhur brenda SHISH duhet të pritet përfundimi i procesit të drejtësisë.

“Qeveria shkarkoi drejtuesen për shkak të akuzës penale në të cilën gjendet dhe siguroi vazhdimësinë e institucionit. Për sa i përket asaj që ka ndodhur në institucion, duhet të presim të gjithë procesin”, përfundoi ai.

Vlora Hyseni ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi” në kuadër të hetimeve të SPAK.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu