
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta në Kuvend lidhur me çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, duke deklaruar se kjo duhet të jetë tema kryesore e debatit parlamentar.
“Nuk mund të ketë çështje tjetër sot në Parlament, ka rënë siguria kombëtare”, deklaroi Berisha, ndërsa kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
Sipas Berishës, mazhoranca po përpiqet të shmangë përgjegjësinë politike dhe ta shkëpusë ish-drejtuesen e SHISH nga Kryeministria. Ai kundërshtoi përpjekjet që, sipas tij, përgjegjësia t’i faturohet shefes së kabinetit të kryeministrit, Vali Bizhga.
“Jo, zotëri. Në asnjë ligj, në asnjë nen, shefi i kabinetit të kryeministrit nuk ka asnjë lidhje në mënyrë kategorike me shefin e shërbimit të vendit. Shefi i shërbimit të vendit ka vetëm dy lidhje, presidentin dhe kryeministrin”, tha Berisha.
Kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se çështja e Hysenit prek drejtpërdrejt sigurinë kombëtare dhe kërkoi zbardhjen e plotë të marrëdhënieve dhe kontakteve të saj gjatë drejtimit të SHISH. Ai ngriti akuza të rënda për lidhje me grupe kriminale, të cilat i lidhi politikisht me kryeministrin Rama. Në deklaratën e tij, Berisha nuk paraqiti prova të reja për këto pretendime.
“Shqiptarët kërkojnë autopsinë e plotë, të vërtetën e të gjithë kësaj ngjarjeje të pashembullt”, deklaroi ai.
Berisha sulmoi gjithashtu mazhorancën për mënyrën se si po reagon ndaj zhvillimeve, ndërsa këmbënguli që debati i Kuvendit të përqendrohet te kjo çështje.
“Sot debati do të jetë vetëm për këtë çështje dhe kreu juaj të njoftojë dorëheqjen aty ku është dhe të vijë me urgjencë këtu”, përfundoi Berisha.






