
Seanca plenare është tensionuar këtë të enjte pas përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Partia Demokratike kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e një debati të posaçëm, por kërkesa u rrëzua nga mazhoranca.
Pas votimit, deputetët e opozitës rrethuan foltoren dhe nisën t’u binin tavolinave, ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërpreu seancën për 10 minuta.
PD kishte kërkuar që interpelancat e parashikuara në axhendë të zëvendësoheshin me një debat për situatën në SHISH dhe që kryeministri Edi Rama të jepte shpjegime për përzgjedhjen dhe emërimin e Hysenit në krye të shërbimit sekret.
Sali Berisha deklaroi nga foltorja se, sipas tij, “ka rënë siguria kombëtare” dhe kërkoi dorëheqjen e kryeministrit. Kreu i PD ngriti akuza të rënda ndaj Hysenit dhe Ergys Agasit, duke pretenduar se ky i fundit kishte arritur të kishte akses dhe ndikim mbi sekretet shtetërore. Berisha nuk paraqiti në fjalën e tij prova të reja për këto pretendime.
Mazhoranca iu përgjigj përmes deputetit Blendi Klosi, i cili riktheu debatin te periudha kur SHIK drejtohej nga Bashkim Gazidede. Klosi akuzoi Berishën për mënyrën se si u drejtuan institucionet e sigurisë gjatë trazirave të vitit 1997 dhe deklaroi se mazhoranca aktuale nuk do të marrë në mbrojtje asnjë zyrtar që përballet me drejtësinë.
Më herët, ministri i Drejtësisë Toni Gogu deklaroi se përgjegjësia penale është individuale, ndërsa tha se përgjegjësia politike për rastin e Hysenit është marrë me largimin e saj nga drejtimi i SHISH. Ai kërkoi që të pritet përfundimi i procesit gjyqësor për të përcaktuar përgjegjësitë.
Vlora Hyseni është nën masën e “arrestit në shtëpi” dhe është pezulluar nga ushtrimi i detyrës në kuadër të hetimeve të SPAK. Pretendimet dhe dyshimet ndaj saj janë objekt i hetimit dhe nuk përbëjnë një vendim përfundimtar fajësie.






