
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas deklaratave të deputetes Marjana Koçeku, e cila pretendon se është kërcënuar nga grupi i Bajrajve pas largimit nga Partia Socialiste.
I pyetur nga gazetarët, Gogu tha se çdo denoncim për kërcënim, veçanërisht kur bëhet nga një deputet, duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet ligjzbatuese.
“Nëse është një rast i tillë, institucionet që kanë detyrë të luftojnë krimin e organizuar duhet të zbatojnë urgjentisht ligjin. Asnjë qytetar nuk mund të jetojë nën fuqinë e kërcënimit”, deklaroi ministri.
Ai theksoi se çështja nuk është politike, por i takon shtetit të së drejtës dhe organeve hetimore, duke përmendur Policinë e Shtetit dhe SPAK-un si institucionet përgjegjëse për verifikimin e pretendimeve.
Gogu shprehu gjithashtu solidaritet me deputeten Koçeku, duke theksuar se kur një përfaqësues i zgjedhur ngre shqetësime të tilla, sipas tij preket edhe vetë institucioni i Parlamentit.
“Shpreh solidaritet ndaj çdo shqiptari dhe jo më ndaj një kolegu deputet. Kur një deputet shpreh shqetësime të tilla, meriton vëmendje të menjëhershme shtetërore dhe hetim të plotë”, tha ai.
Ministri shtoi se pret të komunikojë personalisht me deputeten për këtë çështje.






