Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në Kuvend se do të vazhdojë të mbështesë protestën kundër qeverisë, duke e cilësuar atë si “protestën më madhështore që ka njohur Shqipëria”.

Berisha ftoi demokratët të marrin pjesë masivisht në tubime, ndërsa hodhi poshtë kritikat që vijnë, sipas tij, nga “opozita e opozitës” dhe grupime që ai i lidhi me financierin George Soros.

“Demokratët janë të ftuar të marrin pjesë masivisht në këtë protestë. Klithmat dhe thirrjet e opozitës së opozitës apo grupuskulave të Xhorxh Sorosit nuk mund të më impresionojnë dhe nuk do të më largojnë nga kauzat që besoj”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se do ta mbrojë protestën si në Shqipëri ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se nuk ka forcë që mund ta detyrojë të tërhiqet nga qëndrimet e tij.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për përpjekje për të frikësuar protestuesit dhe deklaroi se lëvizja nuk do të ndalet pavarësisht presioneve.

“Sikur të përdorni të gjithë Bajrët, Çelët apo Troplinët, nuk do ta mposhtni kurrë këtë lëvizje”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu