
Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, duke hedhur poshtë pretendimet se ka heshtur pas zhvillimeve të fundit.
Gërvalla tha se, së bashku me ekipin e saj, është përqendruar që prej ditës së parë te përgatitja për fazën e ardhshme të procesit, të cilin e cilësoi një “betejë ligjore” dhe jo një betejë deklaratash në media.
“Jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri ka dhënë një deklaratë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa unë së bashku me ekipin tim, që nga dita e parë, jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse çështja e Gjykatës Speciale është betejë ligjore, nuk është betejë deklaratash në media”, deklaroi Gërvalla.
Ministrja mohoi gjithashtu çdo pretendim për lidhje apo bashkëpunim të saj me UNMIK-un, EULEX-in apo Gjykatën Speciale, duke thënë se nuk ka pasur “asnjë pikë takimi, as direkt e as indirekt” me këto institucione.
Sipas saj, Qeveria po analizon të gjitha rrethanat për të përcaktuar se çfarë mund të bëhet më tej në procesin ligjor.
“Unë jam e bindur që mund të bëjmë më shumë. Mirëpo jemi duke i shikuar dhe analizuar të gjitha rrethanat”, u shpreh ajo.
Gërvalla u pyet edhe për protestuesit që kanë kërkuar dorëheqjen e saj. Ajo tha se në një shtet demokratik çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë largimin e një ministri dhe se nuk synon ta pengojë këtë të drejtë.
“Është e drejtë e secilit qytetar të Republikës së Kosovës të kërkojë dorëheqjen e secilit ministër”, deklaroi Gërvalla.






