
Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, ka nisur zyrtarisht misionin diplomatik në Shqipëri, pas dorëzimit të Letrave Kredenciale Presidentit Bajram Begaj.
Ceremonia u zhvillua këtë të shtunë, ndërsa kreu i shtetit i uroi ambasadorit amerikan suksese gjatë mandatit të tij në vendin tonë.
Pas dorëzimit të Letrave Kredenciale, Begaj dhe Wendt zhvilluan edhe një takim kokë më kokë, ku në fokus ishte vijimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Begaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik me Uashingtonin.
“Shtetet e Bashkuara janë një partner i pazëvendësueshëm për avancimin e interesave kombëtare”, u shpreh Begaj.
Eric Wendt merr kështu zyrtarisht detyrën e ambasadorit të SHBA-së në Shqipëri, duke hapur një kapitull të ri të përfaqësimit diplomatik amerikan në Tiranë.






