Pedagogia Lili Sula ka ngritur shqetësime mbi projektin “Pas shkolle” të Ministrisë së Arsimit, duke e cilësuar si një nismë të nxituar dhe pa standarde reale për nxënësit.

Në një reagim publik, Sula thekson se projekti, i cili nis fazën pilot më 4 maj në disa shkolla, ngre disa problematika kryesore që lidhen me ushqimin, kohëzgjatjen dhe organizimin.

Sipas saj, një nga çështjet më shqetësuese është fakti që nxënësit do të marrin ushqim me vete nga shtëpia, duke e reduktuar vaktin e drekës në produkte të thjeshta si sanduiç apo tost, larg standardeve ushqimore që duhet të përmbajë një vakt kryesor. Ajo thekson se shteti nuk ka marrë përsipër ofrimin e ushqimit përmes kuzhinave të dedikuara, siç është premtuar më herët.

Një tjetër kritikë lidhet me kohëzgjatjen e programit. Sula argumenton se qëndrimi deri në orën 14:00 nuk mund të konsiderohet një program i mirëfilltë “pas shkolle”, pasi në shumë raste nxënësit përfundojnë mësimin pranë kësaj ore, duke lënë shumë pak kohë efektive për studim apo aktivitete shtesë.

Ajo ngre gjithashtu shqetësimin për përjashtimin e nxënësve të klasave VI–IX nga projekti, duke e konsideruar këtë si një qasje të paqartë dhe problematike për familjet me më shumë se një fëmijë.

Sula kritikon edhe mënyrën e komunikimit me prindërit, duke theksuar se kërkesa për të plotësuar menjëherë një formular pa dhënë kohë për reflektim apo pyetje, është e papërshtatshme për një çështje që prek drejtpërdrejt zhvillimin e fëmijëve.

Sipas saj, një program i vërtetë “pas shkolle” duhet të jetë i strukturuar deri në orët e pasdites, të përfshijë ushqim të garantuar, pushim dhe mbështetje reale në procesin mësimor, ndërsa modeli i propozuar aktualisht është vetëm një zgjatje formale e qëndrimit në shkollë.

Projekti “Pas shkolle” parashikon që nxënësit e klasave I–V të qëndrojnë në ambientet e shkollës pas mësimit për të kryer detyrat dhe për t’u angazhuar në aktivitete të ndryshme, në kuadër të një faze pilot që do të zgjasë deri më 12 qershor.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu