
Para dëshmisë në GJKKO për dosjen “Partizani”, Taulant Balla foli për mediat, duke deklaruar se sot ka politikanë që kanë bërë korrupsion dhe ata janë para drejtësisë.
Në një prononcim për mediat, Balla u shpreh se kjo ishte një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, pasi sipas tij po materializohet ajo që u premtua me reformën në drejtësi të vitit 2016.
“Është një ditë e madhe për Shqipërinë. Sot në bankën e të akuzuarve gjendet një ish-kryeministër dhe ish-president për korrupsion. Kjo tregon se reforma në drejtësi po funksionon dhe po rikthen besimin e qytetarëve”, deklaroi ai.
Balla theksoi se politikanët duhet të mbështesin institucionet e drejtësisë, veçanërisht Prokurorinë e Posaçme, që sipas tij po çmonton korrupsionin e akumuluar ndër vite.
I pyetur për mungesën e Sali Berishës në seancë, Balla shmangu komentet direkte, ndërsa ritheksoi rëndësinë e procesit.
Në lidhje me hetimet që mund të përfshijnë edhe zyrtarë të tjerë, ai u shpreh se drejtësia duhet të veprojë njësoj për të gjithë.
Duke folur për perspektivën europiane, Balla deklaroi se Shqipëria është më pranë se kurrë Bashkimit Europian, duke nënvizuar se pritshmëria është që negociatat të mbyllen brenda vitit 2027 dhe vendi të anëtarësohet deri në vitin 2030.
Ai konfirmoi gjithashtu se i qëndron kallëzimeve të bëra më parë, duke i cilësuar ato si raste tipike korrupsioni të zyrtarëve të lartë.






