
Bordi i Transparencës vendosi këtë të enjte çmime të reja për karburantet, duke e çuar gazoilin në 208 lekë/litër dhe benzinën në 185 lekë/litër, me hyrje në fuqi të menjëhershme nga ora 13:00.
Por ajo që ngre pikëpyetje është ritmi me të cilin ndryshimet në bursat ndërkombëtare reflektohen në Shqipëri. Çdo rritje e çmimit të naftës në tregjet globale përkthehet pothuajse menjëherë në çmime më të larta në pikat e shitjes në Tiranë, shpesh brenda pak orësh.
Ndërkohë, logjika e tregut sugjeron të kundërtën: Shqipëria nuk furnizohet në kohë reale nga bursat, por nga rezerva dhe kontrata të mëparshme. Pra, çmimi që paguajnë konsumatorët nuk duhet të luhatet me të njëjtin ritëm të menjëhershëm si në tregjet ndërkombëtare.
Kontrasti bëhet edhe më i dukshëm kur çmimet në bursa bien. Në këto raste, reflektimi në tregun vendas është i ngadaltë ose thuajse i papërfillshëm, duke krijuar perceptimin e një mekanizmi që funksionon vetëm në një drejtim: rritje të shpejtë, ulje të vonuar.
Vendimi i Bordit parashikon gjithashtu masa ndëshkuese për operatorët që nuk zbatojnë çmimet e vendosura, deri në pezullim aktiviteti. Institucionet deklarojnë se janë të angazhuara për mbrojtjen e konsumatorit dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Megjithatë, për qytetarët mbetet një pyetje thelbësore: si është e mundur që tregu shqiptar reagojnë menjëherë ndaj rritjeve globale, ndërsa nuk ndjek të njëjtën logjikë kur çmimet bien?






