DURRËS – Qindra qytetarë, familjarë, miq dhe bashkëmoshatarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit dy të miturve, Enea Muçaj, 12 vjeç, dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç, të cilët humbën jetën tragjikisht në aksidentin e një dite më parë në lagjen nr.15 të qytetit.

Zona e ish-Kënetës është mbuluar nga heshtja dhe dhimbja, ndërsa banorët kanë mbushur rrugicat për të shprehur ngushëllime pranë familjeve të viktimave. Ngjarja ka tronditur jo vetëm Durrësin, por mbarë opinionin publik.

Sipas të dhënave zyrtare, aksidenti ndodhi rreth orës 14:10, kur 57-vjeçari Nikoll Radaçi, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, humbi kontrollin dhe përplasi tre fëmijë që po luanin në trotuar. Si pasojë, dy prej tyre humbën jetën, ndërsa një 8-vjeçar mbeti i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit u largua nga vendngjarja, por u ndalua më pas nga policia dhe u vu në pranga. Testet konfirmuan praninë e alkoolit në gjak, ndërsa nga verifikimet rezulton se ai ka pasur edhe më herët shkelje të rregullave të qarkullimit.

Ndërkohë, familja e autorit është larguar nga banesa nga frika e reagimeve të qytetarëve. Në një reagim publik, ata kanë kërkuar ndjesë për tragjedinë, duke theksuar se asnjë fjalë nuk mund të zbusë dhimbjen e shkaktuar.

Banorët e zonës shprehen se situata në këtë rrugë ka qenë problematike prej kohësh, duke denoncuar shpejtësinë e lartë dhe garat me makina gjatë natës. Ata kërkojnë masa të forta dhe kontrolle më të rrepta për të shmangur tragjedi të tjera.

Ngjarja ka sjellë reagime të shumta edhe nga autoritetet, të cilat e konsiderojnë këtë një thirrje për rritjen e përgjegjësisë dhe forcimin e standardeve të sigurisë rrugore.

Materialet i janë referuar Prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu