
Një aksident tragjik është regjistruar në Durrës, ku një 66-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet taksi që hipi në trotuar, ndërsa katër persona të tjerë arritën t’i shpëtonin përplasjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:30 në lagjen nr. 13. Viktima është Fezi Dine, 66 vjeç, i cili u transportua në spital pas goditjes së rëndë, por nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.
Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur taksia, e drejtuar nga një 26-vjeçar, niset papritur nga vendi ku ishte e parkuar, hipën në trotuar dhe futet mes këmbësorëve.
Në atë moment në trotuar ndodheshin pesë persona, mes tyre edhe një vajzë e mitur. Katër prej tyre arrijnë të shmangen, ndërsa 66-vjeçari goditet nga automjeti dhe përplaset në mur.
Sipas të dhënave të raportuara, drejtuesi 26-vjeçar ka deklaruar para policisë se automjeti është ndezur në mënyrë të pavullnetshme, ka marrë gaz dhe i ka dalë jashtë kontrollit.
Policia po heton këtë version dhe po analizon pamjet filmike për të rindërtuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit.






