Jonathan Andic, djali i madh i themeluesit të markës së njohur të modës Mango, është liruar me kusht pasi pagoi një garanci prej 1 milion eurosh, pas arrestimit të tij nën dyshimet për vrasjen e babait, Isak Andic.

45-vjeçari u paraqit para gjykatës së Martorell, ku gjyqtari vendosi lirimin e përkohshëm, duke i vendosur disa masa sigurie.

Sipas mediave spanjolle, Jonathan Andic i është sekuestruar pasaporta dhe ai duhet të paraqitet çdo javë pranë autoriteteve deri në përfundim të hetimeve.

Arrestimi i tij tronditi opinionin publik në Spain, pasi për muaj të tërë vdekja e Isak Andic ishte konsideruar një aksident tragjik gjatë një ekskursioni në zonën malore të Montserrat, në dhjetor të vitit 2024.

Hetimet u rihapën pas daljes së provave të reja, ndërsa policia katalanase Mossos d’Esquadra analizoi edhe telefonin celular të Jonathan Andic.

Ai ka mohuar çdo përfshirje në vdekjen e të atit, duke deklaruar se biznesmeni ra aksidentalisht në greminë gjatë ecjes në mal.

Sipas dëshmisë së tij, Jonathan po ecte disa metra përpara Isak Andic kur dëgjoi shembjen e gurëve dhe pa të atin të binte në humnerë, pa mundur ta ndihmonte.

Themeluesi i “Mango”, një nga figurat më të njohura të industrisë së modës në Spanjë, humbi jetën në moshën 71-vjeçare pasi ra nga një lartësi prej rreth 150 metrash.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu