
Protesta e organizuar kundër qeverisë hyri në ditën e saj të 47-të, me një marshim në rrugët kryesore të Tiranës dhe rikthimin e protestuesve përpara godinës së Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet drejtuar institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar hetimin dhe arrestimin e kryeministrit Edi Rama dhe ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Arrestoni Ramën, arrestoni Ballukun!”, brohoritën protestuesit, ndërsa organizatorët i cilësuan akuzat e tyre të lidhura me afera korruptive.
Marshimi bllokoi për disa minuta disa nga akset kryesore të kryeqytetit. Në asfalt u shfaqën edhe mesazhe drejtuar SPAK-ut, ndërsa gjatë fjalimeve u kërkua dorëheqja e qeverisë, hetimi i kryeministrit dhe ndryshim politik.
Në përfundim të tubimit, organizatorët njoftuan se protesta do të vijojë edhe të premten, duke u bërë thirrje qytetarëve për një pjesëmarrje më të madhe në ditën e 48-të të mobilizimit.






