Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi u bë e ditur se kolona zanore e filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, është frymëzuar nga elementë të muzikës tradicionale shqiptare.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë një moment krenarie për vendin, duke theksuar se vlerat kulturore shqiptare po gjejnë jehonë edhe në produksionet më të mëdha të Hollivudit.

“Shqipëria dhe vlerat e saj vazhdojnë të frymëzojnë deri në produksionet më të mëdha të Hollivudit, si ‘The Odyssey’, një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit”, shkroi Rama.

Sipas kryeministrit, kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, vizitoi jugun e Shqipërisë, ku u njoh nga afër me iso-polifoninë shqiptare, pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, si dhe me tingujt e fyellit dyjar, të cilët u shndërruan në burim frymëzimi për kolonën zanore të filmit.

“The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, konsiderohet një nga produksionet më të mëdha kinematografike të viteve të fundit dhe pritet të shfaqet në kinematë botërore gjatë vitit 2026.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu