
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shprehur rezerva ndaj draftit të reformës së re territoriale, duke kundërshtuar propozimin për shkrirjen e bashkive Poliçan, Divjakë dhe Libohovë.
Në një reagim publik, Braçe tha se procesi duhet të shoqërohet me konsultime të gjera me qytetarët dhe jo vetëm me drejtuesit vendorë.
“Është koha të dëgjojmë njerëzit. Ata duhet të informohen për arsyet e ndryshimeve, të dëgjohen argumentet e tyre dhe të reflektohet mbi to”, u shpreh deputeti socialist.
Sipas tij, reforma territoriale duhet të jetë më e thellë sesa një riorganizim administrativ, ndërsa vlerësoi se Poliçani, Divjaka dhe Libohova kanë histori, identitet dhe potencial zhvillimi që duhet të merren në konsideratë.
Braçe kujtoi se Libohova ka status historik qyteti prej më shumë se një shekulli, Divjaka ka njohur zhvillim të ndjeshëm ekonomik e turistik gjatë viteve të fundit, ndërsa Poliçani mbetet një qytet me rëndësi strategjike për industrinë ushtarake.
Deklarata e tij vjen pas reagimeve dhe protestave në disa bashki që preken nga propozimi i Partisë Socialiste për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46.






