
Kryetari socialist i Bashkisë së Divjakës, Josif Gorrea, ka dalë kundër draftit të reformës së re territoriale që parashikon bashkimin e Divjakës me Bashkinë e Lushnjës.
Gjatë një tubimi me qytetarët, Gorrea deklaroi se propozimi i bërë publik e ka befasuar dhe se ndihet i tradhtuar nga mënyra se si është trajtuar procesi.
“Edhe mua më ra si bombë kur pashë se në listë ishte edhe Bashkia e Divjakës. Ndihem i tradhtuar, sepse pa asnjë paralajmërim na erdhi ky propozim”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku tha se do të jetë në krah të qytetarëve për të mbrojtur ekzistencën e bashkisë, duke argumentuar se Divjaka nuk i plotëson kriteret për t’u shkrirë.
Sipas Gorreas, në diskutimet për reformën territoriale kriteri kryesor ka qenë numri i popullsisë, ndërsa Bashkia Divjakë numëron rreth 56 mijë banorë dhe renditet e 26-ta në shkallë vendi, çka sipas tij nuk justifikon përfshirjen në listën e bashkive që do të bashkohen me njësi të tjera.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur drafti i Partisë Socialiste për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46 ka shkaktuar kundërshtime dhe protesta në disa qytete të vendit.






