
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka nisur kryesisht hetimet pas publikimit dhe shpërndarjes në disa portale dhe platforma online të materialeve filmike me përmbajtje intime.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po kryen veprime për identifikimin e adresave IP dhe të dhënave të tjera të faqeve dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë materialet. Paralelisht, Policia po ndjek procedurat për heqjen e tyre nga platformat ku janë publikuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për katër vepra penale: “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja e padrejtë në jetën private” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”.
Reagimi i Policisë vjen ndërsa Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si disa media dhe individë të lidhur me gazetarinë kanë kontribuar në përhapjen e materialeve.
Asociacioni u ka bërë thirrje mediave dhe gazetarëve të ndalin menjëherë publikimin e videove, pamjeve, fotografive, emrave, inicialeve apo çdo informacioni që mund të çojë në identifikimin e grave të përfshira.
Sipas Asociacionit, një raportim i tillë nuk i shërben interesit publik, por thellon dëmin dhe riviktimizimin e grave.
Në reagim përmenden edhe raportimet se një gazetar mund të ketë qenë ndër personat që kanë shpërndarë fillimisht materialet. Asociacioni thekson se, nëse kjo konfirmohet, veprimi do të ishte në kundërshtim të plotë me parimet e etikës dhe përgjegjësisë profesionale të gazetarisë.
Për çështjen ka reaguar edhe themeluesi i Acromax, Aldor Nini, i cili ka paralajmëruar portalet dhe përdoruesit e rrjeteve sociale të mos i publikojnë apo shpërndajnë materialet.
Nini deklaroi se provat po i dërgohen Policisë dhe se personat apo faqet që kanë shpërndarë materialet mund të identifikohen përmes të dhënave teknike. Ai përmendi adresat IP, numrat e telefonit, adresat e emailit, të dhënat e vendndodhjes dhe llogaritë iCloud.
Tashmë Policia konfirmon zyrtarisht se hetimi kibernetik është në zhvillim dhe se po punohet pikërisht për identifikimin e adresave IP dhe të dhënave të faqeve e profileve që kanë publikuar ose shpërndarë materialet.






